Ndryshon traseja e autostradës “Ibrahim Rugova”
Në segmentin e shtatë të autostradës “Ibrahim Rugova” ka pasur një ndryshim në projekt.
Ndryshimin e trasesë së autostradës në pjesën e Fushë Kosovës nuk kanë dashur ta sqarojnë zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës me arsyetimin se projektimi i këtij segmenti ende nuk ka përfunduar.
Drejtori i Drejtorisë së rrugëve, Ramë Qypeva, i ka thënë RTK-së se ky segment është ndryshuar për te ju shmangur kostos së lartë të ndërtimit të autostradës.
Por, Ela Ruqi, zëdhënëse e kompanisë ndërtuese Bechtel & Enka, thotë se punimet në autostradë janë kryer sipas parimit projekto-punos, prandaj sipas saj ka mundësi që të ketë ndryshime.
Megjithë kritikat e analistëve të ekonomisë për këtë mënyrë ndërtimi, Ruqi thotë se “projekto-puno” ka rezultuar si projekt i suksesshëm i të ndërtuarit.
“Mendoj se ky është një model i suksesshëm i ndjekur në shumë vende të botës”, ka thënë ajo për televizionin publik.
Deri më tash janë punuar 60 kilometra të autostradës Vermicë-Merdare ndërsa kanë mbetur të kryhen edhe 20 të tjera. Për pjesën e ndërtuar qeveria e Kosovës ka paguar afro 600 milionë euro ndërsa sivjet ka ndarë nga buxheti i Kosovës edhe 220 milionë euro të tjera.
Kapitali rus provon t’i afrohet tregut në Kosovë
Ndryshimi eventual i pronarëve dhe futja e kapitalit rus në rafinerinë “Okta”, mund të ketë efekte në tregun e derivateve në Kosovë.
Në fillimin e këtij viti, kompania ruse “Gazprom Neft” pati shprehur interesimin që të fusë në pronësi rafinerinë “Okta” në Maqedoni dhe në Selanik, duke synuar që nëpërmjet saj të mbulojë në tërësi tregun derivateve të vendeve të rajonit. Kosova importon një sasi të konsiderueshme të naftës nga “Okta”.
Po ashtu, “Gazprom” që është kompania e pestë më e madhe e karburanteve në Rusi, ka nën pronësi rafineri të derivateve në Serbi dhe në Bosnjë.
Nëpërmjet shtrirjes së kapitalit të kësaj kompanie në rafinerinë “Okta”, sipas raportimit në mediet ndërkombëtare, po synohet që kapitali i biznesmenëve rus të shtrihet edhe në Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit. Bazuar në të dhënat që japin naftëtarët, Kosova importon pjesën dërrmuese të derivateve të naftës nga “Okta”, rafineri kjo që është përfolur të kalojë në dorë të rusëve, shkruan Koha Ditore.
Llogaritet që sasia e naftës që vjen si e “ripërpunuar” nga kjo kompani kalon mbi 70 për qind të sasisë së përgjithshme të naftës. Por, kjo sasi ishte shumë herë më e lartë para se të lëshohej për qarkullim autostrada drejt Shqipërisë, “Ibrahim Rugova”
“Nga ‘Okta’ është furnizuar 90 për qind e tregut të derivateve Kosovës para ndërtimit të rrugës së kombit”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi.
Ai ka theksuar se nuk ka të dhëna të sakta pas shfrytëzimit të autostradës, meqë, sipas tij, një pjesë e naftës importohet nga Shqipëria. Por, naftëtarët janë kundër që tregu rajonal i derivateve të naftës të zotërohet nga kompani me kapital rus.
Gjermanët e riorganizojnë “Trepçën”
Agjencia Kosovare të Privatizimit (AKP) e ka shtyrë afatin për pranimin e kërkesave nga kreditorët dhe pretendentët potencialë për ndërmarrjen shoqërore “Trepça” për nëntor të këtij viti. Vendimin e ka marrë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e cila e ka vazhduar edhe për një vit afatin për pranimin e kërkesave nga kreditorët dhe pretendentët për ndërmarrjen shoqërore “Trepça”.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka thënë për “Zërin” se në këtë proces tashmë kanë edhe ndihmën e ekspertëve gjermanë.
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me ekspertët e shtetit gjerman, të cilët po na ndihmojnë në procesin e riorganizimit të Trepçës. Ne do të punojmë me përkushtim dhe kujdes të madh në këtë ndërmarrje, në gjetjen e planit më të mirë të mundshëm për rimëkëmbjen e Trepçës, e cila padyshim se ka rëndësinë kryesore në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka thënë Kaloshi.
Mirëpo, konkursi për kreditorë të “Trepçës” nuk është pritur mirë nga drejtues të kësaj ndërmarrje dhe ekspertë ekonomikë. Ata thonë se kërkesa e tyre është që ky proces të marrë formën, e cila nuk do ta dëmtonte “Trepçën”.
Rreziku, sipas tyre, është pasi që pjesa më e madhe e kreditorëve mund të jetë nga Serbia. “Mbi 90 për qind e kërkesave mendoj se do të jenë kompani nga Serbia. Të njëjtit në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë Shyqyri Kelmendi, këshilltar në “Trepçë”.
Ndërsa përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi që, sipas tyre, ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit. Berat Rukiqi nga OEK-u ka thënë se qeveria duhet ta argumentojë që është kredidhënësi kryesor i “Trepçës” dhe në të njëjtën kohë, sipas tij, të fitojnë edhe numrin më të madh të vendeve në bordin e ardhshëm të kreditorëve.
“Nëse këto argumentohen mirë, atëherë sigurisht mund të krijohet një bazë që në Këshillin e Kreditorëve të jetë një prezencë e institucioneve tona, nëse është e kundërta rreziku rritet që kreditorët nga vendet që nuk ia duan të mirën Kosovës të jenë pjesë e bordit”, ka thënë Rukiqi.
Zëdhënësi i “Trepçës”, Bislim Muqaj, ka thënë se jo çdokush që ka pretendime të tilla mund të jetë pjesë e kësaj ndërmarrjeje. “Do të jetë një Komision i cili do t’i shqyrtojë të gjitha pretendimet, a janë të vlefshëm dhe sa kanë të drejtë ata, nuk do të thotë se çdo pretendent që ka një letër që gjoja ka investuar në Trepçë domosdo do të jetë kreditor në të”, ka thënë Muqaj.
AKP-ja kishte shpallur në nëntor të vitit të kaluar afatin për paraqitjen e kërkesave të kreditorëve që pretendojnë se “Trepça” u ka borxh, pasi këtë e kishte obligim ligjor, edhe pse në ndërkohë kishte parashtruar kërkesën për shtyrjen e afatit.
Sipas zëdhënësit të AKP-së, Ylli Kaloshi, gjatë këtij afati kishin dorëzuar kërkesa të kategorive të ndryshme, pronësore e jopronësore një numër i madh i kreditorëve, duke kërkuar qindra miliona euro kompensim.
Pretendimet për hise në “Trepçë” kishte paraqitur edhe Banka nga Beogradi “Beobank”, ndërkaq një kompani franceze ishte tërhequr. Nga vendorët konkurroi Qeveria, Komisioni për Miniera dhe punëtorët e “Trepçës”.
Kaloshi, pa përmendur shifra të kërkesave të kreditorëve dhe shumave që kanë kërkuar ata, ka thënë se Agjencia gjatë këtij afati ka pranuar një numër të madh të kërkesave, ndër të cilat, sipas tij, kërkesat me shumën më të madhe janë nga punëtorët e “Trepçës”.
“Pretendimet më të mëdha pas punëtorëve i ka Qeveria e Kosovës, e cila ka bërë investime të mëdha që nga periudha e pasluftës, si dhe nga disa kompani të vendeve të tjera që pretendojnë se kanë bërë investime në Trepçë gjatë kohës së paraluftës, periudhë kjo e masave të dhunshme në Trepçë”, ka thënë Kaloshi.
”Trepça” është përfshirë në procesin e riorganizimit, bazuar në Ligjin për Riorganizimin dhe Likuidimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre dhe ligjeve tjera të aplikueshme në fuqi.
Комментариев нет:
Отправить комментарий